
Leo Messi pritet ta vazhdojë karrierën në Azinë e largët.
Siç raportojnë mediat spanjolle, argjentinasi është takuar me drejtuesit e klubit arab Al-Hilal, me të cilët mendohet se ka arritur një marrëveshje.
Messi momentalisht është i suspenduar nga klubi francez për dy javë për shkak se udhëtoi në Arabinë Saudite pa marrë leje paraprakisht nga drejtuesit e PSG.
Thuhet se Al-Hilal i ka bërë Messit një ofertë ‘astronomike’ me të cilën ai do të përfitonte 400 milionë euro në sezon.
Në rast se 7 herë fituesi i Topit të Artë dakordohet me kushtet e vëna nga klubi arab, ai do të bëhej futbollisti më i paguar në botë, duke lënë pas vetes rivalin e tij Cristiano Ronaldon.
Për Messin, interesim ka shfaqur edhe Barcelona por është ende e paqartë nëse ata mund ta finalizojnë një marrëveshje të mundshme për shkak të rregullave financiare të La Ligas.
35-vjeçari është ofertuar edhe nga, Inter Miami, klub ky në pronësinë e ish-futbollistit David Beckham.
Messi iu bashkua Parisit në vitin 2021 nga Barcelona si agjent i lirë, dhe në 37 paraqitje për klubin nga kryeqyteti francez ai shënoi 20 gola e dhuroi 19 asistime.