
Liqeni i Shkodrës është shpallur zyrtarisht Rezervë Biosfere nga UNESCO, duke marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Vendimi u miratua pas aplikimit të dorëzuar nga Shqipëria në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar njohjen dhe rëndësinë e tij të veçantë ekologjike, pasurinë e habitateve natyrore dhe rolin që luan në ruajtjen e ekuilibrit mjedisor në rajon.
Liqeni i Shkodrës ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe njihet si një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Evropën Juglindore.
Ai strehon qindra lloje shpendësh, peshqish dhe specie të tjera të florës e faunës, disa prej të cilave janë të rralla ose të rrezikuara, shkruan Euronewsal. Shpallja si Rezervë Biosfere synon të nxisë mbrojtjen afatgjatë të ekosistemit të liqenit, duke promovuar njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, turizmin natyror dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.