Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Lista e Kosovës: Forma e lojtarëve para ndeshjeve të shtatorit

Gazeta10
31 Gusht 2023 - 13:55

Selektori i Kosovës, Primoz Gliha ka zgjedhur 27 dardanë që do të përfaqësojnë Kosovën në dy ndeshjet e shtatorit, atë kundër Zvicrës dhe Rumanisë.

Në sy të parë, ka disa emra të rinj që kanë kaluar nga Kosova U21 në ekipin A, gjersa Bernard Berisha rikthehet përsëri pas dy vitesh. Emër i ri, që u ftua për herë të parë është Meriton Korenica i Ballkanit, i cili po kalon formë jetësore këtë vit.

Mirëpo, se çfarë forme po kalojnë disa nga lojtarët kryesor të përfaqësueses, ndiqni shkrimin më poshtë.

E nisim nga porta, aty ku Arijanet Muric është numër një te Kosova. Pas transferimit të Trafford nga Burnley, Muric e ka humbur vendin e startuesit, kësisoji këtë edicion është paraqitur në vetëm një ndeshje, atë të Carabao Cup ndaj Nottingham Forest. Në atë takim, portieri i Kosovës mbajti portën e paprekur, kështu duke ndihmuar klubin e tij të kalojë në fazën tjetër të atij kompeticioni.

Ndërkohë, portieri i dytë, Visar Bekaj këtë edicion siguroi një transferim në elitën e futbollit turk te Hatayspor, por edhe ky njejtë si Muric nuk po arrin të ketë minutazh. Madje, Bekaj nuk ka luajtur asnjë minutë të vetme në këtë fillim të kampionatit.

Pa minuta e ekip është Samir Ujkani, portieri i tretë i Kosovës. Klubi i tij i fundit ishte Empoli, gjersa nga 1 korriku i këtij viti është agjent i lirë.

Pozicioni ku më së shumti ka emra të rinj është mbrojtja, mirëpo është e mbipopulluar me qendërmbrojtësa. Nëse nuk llogarisim Dresevicin, i cili te Kosova luan si mesfushor defanziv, ateherë pjesë e kësaj liste janë gjashtë qendërmbrojtës.

Mbrojtësi me më së shumti minuta këtë edicion është Ismajl Beka, i cili është ftuar për herë të parë te Kosova. Beka aktivizohet te skuadra e Luzernit, derisa këtë edicion ka luajtur në 8 ndeshje, duke përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese për Ligën e Evropës.

Shenjë pozitive për Kosovën është se Mërgim Vojvoda ka rifituar pozitën e startuesit te Torino, me mbrojtësin e djathtë që madje ka shënuar gol e ka dhuruar një asist në Coppa Italia. Ndërkohë, Rrahmani, Paqarada e Aliti po ashtu kanë 100% të minutave të luajtura në ndeshjet me ekipet e tyre respektive. Hadërgjonaj është paraqitur në vetëm një ndeshje këtë stinor, duke djersitur fanelën e Kasimpasa në vetëm 9 minuta. Betim Fazliji, i rikthyer te St. Gallen po gjen edhe minutazhën, duke siguruar 85% të minutave në fushën e lojës.

Teksa,  Valon Zumberi po ashtu ka minuta të kënaqshme me ekipin e dytë të Hamburgut, ndërsa Andi Hoti te Magdeburgu është paraqitur në një ndeshje të Kupës së Gjermanisë.  Kreshnik Hajrizi i Luganos këtë stinor është paraqitur në 5 ndeshje, duke luajtur 417 minuta në total.

Në pozitën natyrale në mesfushën e Kosovës janë të ftuar vetëm tre lojtarë, gjersa si i ‘infiltruar’ në pozitën e mesfushorit defanziv pritet të luajë Ibrahim Dresevic, i cili këtë sezon në Superligën e Turqisë është paraqitur në 3 ndeshje, në të cilat arriti një asistim.

Mesfushori më në formë i Kosovës këtë edicion është Florent Muslija i Paderbornit, i cili është paraqitur në 5 ndeshje me ekipin gjerman, duke shënuar 3 gola e dhuruar një asistim. Florian Loshaj, 27-vjeçari që luan po ashtu në Superligën turke me Istanbulspor, ka luajtur në dy ndeshje, duke kompletuar dy herë 90 minuta, gjersa nuk ka arritur të kontribuojë me asnjë gol ose asistim.

Valon Berisha është lojtari që të gjithë pyesin veten se pse është ftuar, kjo pasi këtë edicion nuk është duke luajtur fare me Stade de Reims, e ai gjithashtu është në kërkim të një klubi të ri, pasi aventura te klubi aktual thuhet se ka përfunduar. Ndeshja e fundit e Berishës është në qershor të këtij viti.

Erdhi koha për fazën e sulmit, aty ku për së pari herë është ftuar Korenica i Ballkanit. Meritoni po ‘shkëlqen’ me klubin suharekas në ndeshjet evropiane. 26-vjeçari rahovecas është paraqitur në 7 ndeshje kualifikuese, duke shënuar 3 gola e dhuruar një asistim.

Edhe Altin Zeqiri po e shijon ekipin A të Kosovës, me 23-vjeçarin që për momentin është pjesë e Çaykur Rizerspor. Duke llogaritur edhe ndeshjet në ligën e Finlandës, Zeqiri në 26 ndeshje ka shënuar 8 gola e ka dhuruar 7 asistime nga pozita e sulmuesit të majtë.

I rikthyer te Kosova pas dy vitesh, Bernard Berisha këtë edicion ka luajtur në 9 ndeshje, në të cilat ka shënuar një gol e ka dhuruar 2 asistime.

Vedat Muriqi nuk ka nisur në mnyrën më të mirë edicionin me Mallorcan. Sulmuesi kosovar ka dështuar dy herë nga penaltia, gjersa ende nuk ka shënuar gol në La Liga. Pa gol, mirëpo me një asistim është Milot Rashica te Besiktasi.

Me një gol është Edon Zhegrova, gol i cili erdhi në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Konferencës ndaj Rijekas. Në anën tjetër, me një asist ka kontibuar Ermal Krasniqi me Clujin.

Pa gol e asist në tri ndeshje është edhe Zymer Bytyqi, i cili u rikthye në futbollin turk. Po ashtu rikthehet edhe te lista e Kosovës pas një grumbullimi mungesë.

Ndërsa, Albion Rrahmani, i cili debutoi me fanelën e Rapid Bucuresti shënoi dy gola, kështu edhe duke rinkonfirmuar formën e mirë të kaluar te Ballkani.

Kosova këtë muaj luan ndeshjen e parë më 9 shtator ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, teksa ndeshjen e dytë e luan ndaj Rumanisë më 12 shtator si mysafir.   

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.