
Lista Serbe duket se po bën politikë në raport me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave veriore.
Ndonëse publikisht ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, ky subjekt politikë ende nuk e ka informuar zyrtarisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për këtë veprim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se deri me tani Lisat Serbe nuk ka dërguar asnjë njoftim zyrtar në këtë institucion.
Në këtë mënyrë, Lista Serbe mund të aplikojë për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 22 mars.
“Duke filluar nga data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Mund t’ua konfirmoj se deri më tani (10 mars 2023, 15:00) kemi pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 8 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit”, ka thënë Elezi, raporton gazeta Nacionale.
Një ditë me parë, Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës.
Si arsyeje për mospjesëmarrje në këto zgjedhje, Lista Serbe ka përmendur mos përmbushur kërkesat të serbëve, të cilat i kanë shtyrë të largohet nga institucionet e vendit.
“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës dhe Metohisë, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, është thënë në njoftimin e Listës Serbe.
Kjo deklaratë është politike dhe nuk ka shkakton asnjë efekt juridik në lidhje me mospjesëmarrjen e këtij subjekti politik në zgjedhjet e 23 prillit.
Vetëm nëse kjo parti e njofton zyrtarisht KQZ-në deri me 13 mars, se nuk merr pjesë në zgjedhje, do të pamundësohej pjesëmarrja e saj në këto zgjedhje.
Duket se subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës është duke e pritur takimin e 18 marsit për të vendosur pastaj nëse do të marr pjesë në zgjedhje.
Më 18 mars në Oher do të takohen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq për të biseduar rreth anekesit të marrëveshjes se Planit të BE-së. /Gazeta10/