
Klubit të Llapit i është bllokuar mundësia për të regjistruar futbollistë të huaj ashtu edhe vendor.
Kjo ka ndodhur për shkak të problemeve që klubi llapjan ka me trajnerin Alan Clark.
Trajneri nga Afrika e Jugut, Alan Clark, ishte prezantuar me bujë të madhe te skuadra e Llapit, por që gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej.
Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak më vonë, por që më pas u largua edhe nga aty.
Skuadra nga Podujeva i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.
Ai pretendon se ka një shumë të parave të cilat nuk i janë paguar nga klubi, gjë për të cilën i ka dhënë të drejtë edhe Gjykata e Arbitrimit për Sport (CAS).
Pas kësaj situate, Clark ka thënë se klubit i është ndaluar të regjistrojë futbollistë dhe se Llapi rrezikon të dënohet me -6 pikë dhe me rënie në Ligën e Parë.
“Sa më shumë që vonohet kryerja e obligimeve ndaj meje, aq më keq do të jetë për skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina”, kishte thënë Clark.
Llapi këtë sezon në Superligën e Kosovës renditet e pesta në tabelë me 36 pikë, 4 pikë larg zonës që dërgon në Evropë.
Llapjanët janë pjesë edhe e Kupës së Kosovës, ku në gjysmëfinalë përballë kanë skuadrën e Gjilanit, ndaj të cilëve këtë javë pësoi disfatë në shtëpi me rezultat 2-1, teksa ndeshja e dytë ende nuk është zhvilluar.