Kosova rikthehet të luajë futboll në vitin 2023 për ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve për EURO “Gjermania 2024”.
Gjatë këtij muaji, Kosova do të zhvillojë dy ndeshje, njërën më 25 mars (vs. Izraeli, mysafir), dhe tjetrën më 28 mars (vs. Andorra, vendas).
Për këto ndeshje, selektori i Kosovës, Alain Giresse ka zgjedhur të ftojë 26 futbollistë, gjersa të përfshirë janë edhe disa emra të rinj, si: Arbnor Muja, Albion Rrahmani dhe Amar Gërxhaliu.
Meqë ra fjala te futbollistët, 90minuta ju sjell para jush formën të cilën ata po kalojnë këtë sezon.
Fillojmë me portierët, ku padyshim emri i parë që na vie në mend është ai i Arijanet Muric. 24-vjeçari po kalon në formë të mirë këtë edicion me Burnleyn në Championship, duke qenë portieri kryesor i skaudrës së drejtuar nga Vincent Kompany. Ai këtë sezon ka 35 paraqitje me Burnleyn në të gjitha garat, ku në 15 ndeshje edhe ka mbajtur portën e paprekur. Shpresojmë që forma e tij aktuale të vazhdojë edhe me Kosovën, pasi një Muric në formë, gjithçka është më e lehtë për ne.
Portieri i dytë, Visar Bekaj, i cili paraqitet me fanelën e Tiranës në Kategorinë Superiore, këtë sezon ka zhvilluar 32 ndeshje me fanelën bardhekaltër, ndërsa ka edhe 11 porta të paprekura. Ndërkaq, Samir Ujkani, portier i Empolit, nuk ka të zhvilluar asnjë minutë në Serie A.
Vazhdojmë pak më para në formacion, gjersa shkruajmë pak për mbrojtësit kosovar dhe risinë e fundit në listë, Amar Gërxhaliun.
Për ndeshjet e marsit, Giresse ka ftuar 8 mbrotjës (duke mos llogaritur Donat Rrudhanin në këtë pozitë), me kapitenin, Amir Rrahmani si mbrojtësin më në formë të kombëtares. Rrahmani përveçse po zhvillon paraqitje fantastike me Napolin në Serie A, ai gjithashtu është kualifikuar për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke qenë njëri ndër lojtarët kyç.
Krahu i djathtë i mbrojtjës së Kosovës ka dy emra të njohur për ne, Mërgim Vojvodan dhe Florent Hadërgjonajn, pozitë e cila pritet t’i shkaktojë kokëdhimbje strategut francez. Duke marrë parasysh minutat, Hadërgjonaj qëndron më mirë, i cili është paraqitur në 72% ndeshjeve si startues. Kur flasim për kontributet në gola, Vojvoda ka 5 asiste, derisa nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa Hadërgjonaj ka 3 gola e 1 asist në Superligën dhe Kupën e Turqisë.
Në krahun e majtë të mbrojtjes kemi një rikthim, ku Leart Paqarada ftohet pas një kohe të gjatë. 28-vjeçari këtë sezon ka 24 paraqitje me St. Pauli, ku ka shënuar një gol e ka dhuruar 6 asiste në të gjitha garat.
Risia e fundit në listën e Giresse është 20-vjeçari, Amar Gërxhaliu. Ky i fundit paraqitet me Antalyaspor në Turqi. Përpos në Superligën e Turqisë, Gërxhaliu paraqitet edhe në “Super Lig Reserves League”, ligë në të cilën ka 4 paraqitje, të gjitha si startues.
Mbrojtësit të cilët janë ftuar dhe që ishin më herët pjesë e Kosovës janë: Mirlind Kryeziu (vetëm një paraqitje në 8 ndeshjet e fundit), Fidan Aliti dhe Betim Fazliji (vetëm 25% të ndeshjeve si startues te St. Pauli).
Duke lënë pas krahësh mbrojtjen, ‘avancojmë’ te mesfusha, e cila kësaj here është pak a shumë është e njejtë si herën e kaluar.
Marëë parasysh kontributet në gola, ai që e kryeson listën është Florent Muslija, i cili këtë sezon në Bundesliga 2 ka 24 ndeshje, në të cilat ka 4 gola e 3 asiste. Ndërsa, më së keqti në këtë aspekt qëndron Dresevic, i cili ka vetëm një gol të shënuar këtë edicion të garave.
Të ftuarit tjerë për këto ndeshje janë: Florian Loshaj (Istanbulspor), Blendi Idrizi (Jahn Regensburg), Valon Berisha (Melbourne City) e Bersant Celina, i cili në janar ndërroi ambient, kur u kthye përsëri në futbollin anglez te Stoke City.
E përfundojmë me fazën e sulmit, pozitë në të cilën Giresse ka ftuar edhe një futbollist nga Superliga e Kosovës, Albion Rrahmani, i cili këtë sezon ka 16 gola në elitën e futbollit kosovar.
Përveç Rrahmanit, ftesën për herë të parë te Kosova e ka marrë edhe Arbnor Muja, lojtar i Royal Antwerp. Muja këtë sezon ka 25 paraqitje, në të cilat paraqitje ka 5 gola e 5 asiste.
Mirëpo, sulmuesi më në formë i “Dardanëve” është Vedat Muriqi, sulmues i cili paraqitet me fanelën e RCD Mallorca në LaLiga. 28-vjeçari këtë sezon ka shënuar 10 gola në elitën e futbollit spanjoll, madje duke i shënuar gol Real Madridit në “Santiago Bernabeu”.
Formë të mirë kohëve të fundit po ‘gëzojnë’ edhe Milot Rashica e Edon Zhegrova. Rashica këtë fundjavë shënoi gol për Galatasarayn, ndërsa Zhegrova dhuroi asist në fitoren e Lille gjatë këtij vikendi.
Të ftuar tjerë në fazën e sulmit të kombëtares sonë janë edhe: Arbër Zeneli (pak paraqitje si startues te Reims), Elbasan Rashani (Clermont Foot 63) dhe Zymer Bytyqi (i sapo transferuar në Greqi te Olympiacos).
Duke marrë parasysh formën e gjithë lojtarëve të ftuar, Kosova ka gjasa të mira që të fillojë mbarë këto kualifikime, me shpresën që do të përfundojmë këtë muaj me 6 pikë.