
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vdekjes së Eqrem Kryeziut, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Abdixhiku e ka cilësuar Kryeziun si “një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve” të Kosovës.
Ai ka kujtuar kontributin e Kryeziut në LDK dhe në jetën publike të Prizrenit, duke theksuar se ai ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova.
“Kosova sot humbi një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet. Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.
“Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar ai.