
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku ka deklaruar se janë të gatshëm që të kontribuojnë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku u miratua Deklarata për aktgjykimin e Speciales, ajo bëri të ditur se takime ka pasur mes të gjithë liderëve të partive politike.
Ajo ka kërkuar vullnet nga të gjitha partitë politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Takimet kanë ndodhur në mes të gjithë liderëve, kjo është me qëllim që të koordinohemi si shtet për veprimet e ardhshme, ka shumë procese të rëndësishme që pritet të ndodhin edhe puna e presidentit, por ishte edhe koordinimi sa i përket kësaj deklarate. Të kemi sa më parë zgjidhje për secilin problem. Ne si parti kemi thënë që është e rëndësishme që të shmangim zgjedhjet, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha partive politike, ne vetëm nuk mundemi me i dhënë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi jemi për ose kundër”, tha ajo.
Lushaku ka folur edhe për miratimin e deklaratës e propozuar nga PDK-ja.
Ajo bëri të ditur se LDK mbështet çdo vendim që do të merret në kuvendin e Kosovës ndaj katërshes në Hagë, në mbrojtje të UÇK-së.
“Jemi të vetëdijshëm plotësisht që kemi përgjegjësi edhe institucionale që ta vlerësojmë e lartësojmë kontributin e djemve e vajzave tona në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës, për lirinë që e gëzojmë ne sot, prandaj ua kemi borxh që ta mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare. Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe në liri dhe të funksionojnë institucionet e saj të pavarura për sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët”, tha ajo.