Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Maqedoni e Veriut: Protesta e studentëve shqiptarë merr mbështetje nga të gjitha anët

Gazeta10
15 May 2026 - 17:08

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ditën e hënë më 18 maj në orën 16:30 do të protestojnë me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe. Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetin sociale Facebook, protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Kërkesës së studentëve për t’i përkrahur i janë përgjigjur pozitivisht figura të ndryshme si nga jeta politike ashtu edhe kulturore në të gjithë hapësirën shqiptare. Nga ana tjetër, Qeveria vazhdoi me premtime se së shpejti pritet zgjidhje e çështjes së provimit të jurisporodencës në gjuhën shqipe. Përkrahja ndaj studentëve edhe pse ka marrë jehonë të madhe në vend dhe rajon, ajo mungon nga eksponentët e VLEN-it të cilët janë në Qeveri.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputet, Enver Hoxhaj, ka shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës.

Në një reagim publik, Hoxhaj theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe se zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga institucionet.

“Në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe të drejtës së tyre për gjuhën shqipe. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe zëri i studentëve duhet të dëgjohet, ndërsa e drejta në përdorimin e gjuhës shqipe të jetësohet! “, tha Hoxhaj.

Gjithashtu edhe deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Klevis Balliu nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë bëri thirrje publike që të gjithë shqiptarët të mbështesin protestën e studentëve në Maqedoni të Veriut.

Sipas Balliut, kjo protestë i përket të gjithëve, andaj shtoi ai, më 18 duhet të gjithë të ngrihemi në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut më 18 maj do të ngrihen sërish në protestë në mbrojtje të gjuhës shqipe. Kjo është një gjuhë për të cilën është luftuar me gjak kudo. Kjo gjuhë na përket të gjithëve dhe ndaj kjo protestë na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të ngrihemi më 18 maj në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut”, theksoi mes tjerash deputeti, Klevis Balliu.

Në mbështetje të studentëve ka dalë edhe gazetari Marin Mema, i cili ka thënë se ka qenë krah shqiptarëve në Maqedoni, kam qenë e do të jem krah të rinjve në betejat e tyre të drejta!

“Të kërkosh gjuhën shqipe në provime është një e drejtë që askush nuk mundet t’ua mohojë shqiptarëve autoktonë në ato troje! Të gjithë duhet të bashkohen, të gjithë shqiptarët e drejtë, të vërtetë e të ndershëm, shqiptarët që shqiptarinë e kanë zemër e shpirt. Të gjithë përveç politikanëve! Ata duhet të qëndrojnë larg, sepse nëse këto të drejta do të ishin zgjidhur, do ishin marrë, sot nuk do të ishim në këtë pikë! Lërini shqiptarët e vërtetë të bashkohen pa parti, sepse shqiptaria është më e madhe se çdo parti! Keni pasur kohë mjaftueshëm të punoni për shqiptarët dhe nuk e keni bërë! Lërini ta tundin urën e gurit me zemrën e shpirtin e pastër, lërini të valvisin flamurin shqiptar siç j’ua do zemra e shpirt!” ka shkruar Marin Mema.

Mbështetja ndaj studentëve ka arritur edhe nga Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe si të drejtë legjitime, qytetare dhe morale.

Përmes një reagimi publik, organizata thekson se kërkesa për zbatimin e të drejtave që burojnë nga ligji dhe Kushtetuta nuk mund të mohohet, pasi ato lidhen me identitetin dhe ekzistencën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Mosrespektimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është thjesht një shkelje administrative, por shkelje ligjore që duhet të ndëshkohet”, thuhet në reagim.
Nga organizata shprehin shqetësim të veçantë për faktin se, sipas tyre, shkeljet po kryhen edhe nga përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, duke përfshirë ministra dhe kryeministrin”, thonë nga Organizata Shqiptaro-Amerikane.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherësh nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për gjuhën shqipe dhe protestat e studentëve shqiptarë, duke paralajmëruar se sulmet ndaj Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë kërcënim për vetë arkitekturën e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një statusi publik, Osmani ka theksuar se jo çdo shtet ndërtohet vetëm mbi ligje, por edhe mbi dhimbje, kompromis dhe vendimin e popujve për të mos jetuar më në konflikt.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje politike, por një marrëveshje paqeje me të cilën vendi zgjodhi bashkëjetesën në vend të urrejtjes dhe dialogun në vend të konfliktit”, ka shkruar Osmani.

Ish-kapiteni i Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, Lorik Cana, ka dalë me një mesazh të fuqishëm në mbështetje të të drejtës së studentëve shqiptarë për të studiuar dhe për t’iu nënshtruar provimeve në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një thirrjeje publike, Cana ka theksuar se gjuha përbën një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar dhe se mohimi i saj nënkupton mohim të barazisë, zhvillimit dhe përkatësisë së një populli.

“Gjuha është një nga shtyllat e Identitetit; kur ajo mohohet, mohohen të gjitha të drejtat për barazi, zhvillim dhe përkatësi! Ne nuk pretendojmë asgjë më shumë sesa atë që kemi fituar nëpërmjet sakrificës së paraardhësve tanë dhe të drejtës sonë të studjojmë në gjuhën tonë etnike, autoktone dhe shtetformuese”, ka shkruar Cana.

Mbështetjen ndaj studenteve shqiptarë e ka paraqitur edhe Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka theksuar se e drejta e studentëve për të dhënë provime dhe për t’u qasur në proceset profesionale në gjuhën e tyre amtare është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, ligjet në fuqi dhe parimi i barazisë në qasjen ndaj arsimit dhe profesionit.

Sipas FNA-së, në një shoqëri demokratike dhe multietnike, të drejtat gjuhësore nuk duhet të trajtohen si privilegj politik, por si standard juridik dhe institucional. Organizata thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në fusha profesionale si drejtësia, ku saktësia e terminologjisë dhe kuptimi i nuancave juridike është thelbësor për vlerësim të drejtë dhe profesional.

“Në një shoqëri demokratike dhe multietnike, garantimi i të drejtave gjuhësore nuk duhet të trajtohet si privilegj politik, por si standard institucional dhe juridik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha si drejtësia, ku kuptimi i saktë i terminologjisë dhe nuancave juridike është esencial për vlerësim të drejtë dhe profesional”, thonë nga FNA.

Protesta e 18 majit, vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore, përfshirë edhe protestën e mbajtur më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe./Portalb.mk  https://www.facebook.com/photo.php?fbid=122112635972813020&set=a.122094705398813020&type=3&ref=embed_post

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.