
Trajneri i mirënjohur, Marcelo Bielsa është shumë afër për ta marrë drejtimin e kombëtares së Uruguajit, kanë njoftuar të enjten mediumet në Argjentinë.
Bëhet e ditur se Bielsa ka kohë që është në negociata me Federatën e Futbollit të Uruguajit dhe është afër firmosjes së kontratës.
Në krye të Uruguajit, Bielsa do ta zëvendësonte Diego Alonson, i larguar pas Botërorit të Katarit, ku nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve.
Aktualisht, trajner i përkohshëm i Uruguait është Marcelo Broli, i cili e udhëhoqi këtë muaj në ndeshjet miqësore kundër Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Bielsa është i papunë prej vitit të kaluar kur u largua nga Leeds Unitedi, ekip ku qëndroi për gati katër vjet.
Kjo është hera e dytë që Bielsa do të drejtonte një kombëtare, gjersa më parë e kishte bërë te ajo e Argjentinës, pjesë e së cilës ishte për 6 vite.
Gjatë karrierës së tij si trajner, 67-vjeçari ka arritur të fitojë një medalje të artë olimpike me Argjentinën në vitin 2004, dhe një herë trofeun e Championshipit me Leeds United në sezonin 2019/20.