Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kalimi ku ka thënë se kjo është e arritur në vitin 2011, raporton Gazeta10.
Haradinaj ka thënë se është për keqardhje që është dashur kaq shumë që të zbatohet kjo marrëveshje.
Tutje, ai ka thënë se marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë në raport me një zgjidhje me Kosovën.
Haradinaj ka thënë se marrëveshje mes dy shteteve me njohje mund të ketë vetëm me përfshirjen e ShBA-së në proces.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shënjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.
Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit.
Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kosova në targa dhe dokumente kalimi ka pasur tensione të mëdha politike. Në Kosovë dhe Serbi për këtë temë kanë qëndruar i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Para pak orësh, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje ku Serbia ia ka pranuar Kosovës dokumentet e kalimit. / Gazeta10