
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për financimin e programeve të banimit për bashkëfinancimin e Objektit Ç.
Lushtaku ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se marrëveshja është nënshkruar me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Sipas tij, vlera e projektit është 4.4 milionë euro, ndërsa financimi bëhet përmes kredisë nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Projekti, i cili hyn në kuadër të Banimit Social Adekuat, është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt.
Lushtaku ka thënë se ky projekt paraqet një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve të dëshmorëve, ndërsa ka paralajmëruar se do të punohet edhe për realizimin e Objektit K.
“Pas Objektit U, edhe Objekti Ç po bëhet realitet!”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka shtuar se realizimi i Objektit K do të mundësonte kompletimin e kompleksit UÇK dhe përmbushjen e një tjetër zotimi ndaj familjeve të dëshmorëve.