
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar serish për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumente kalimi, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe durimin, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se fryma e bisedimeve parimore është reciprociteti.
Tutje, Kurti ka falënderuar ndërmjetësit z.Borell, Lajçak dhe Escobar, si dhe ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, për angazhimin e tij.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.
Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.
Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kosova në targa dhe dokumente kalimi ka pasur tensione të mëdha politike. Në Kosovë dhe Serbi për këtë temë kanë qëndruar i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Para pak orësh, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje ku Serbia ia ka pranuar Kosovës dokumentet e kalimit. / Gazeta10