Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, e ka vlerësuar si lajm shumë të mirë për të gjithë rajonin arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kalimi, raporton Gazeta10.
Xhaçka ka thënë se dialogu është gjithmonë rruga teksa ka uruar dy liderët e Kosovës dhe Serbisë si dhe BE-në për ndërmjetësimin.
Tutje, e para e diplomacisë së jashtme të Shqipërisë, ka thënë se nga kjo marrëveshje përfitojnë qytetarët edhe në Kosovë edhe në Serbi.
Këtu keni statusin e plotë:
“Një lajm shumë i mirë për rajonin. Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje nga e cila përfitojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët. Dialogu është gjithmonë rruga. Urime të dy liderëve dhe mirënjohës për BE-në për lehtësimin e dialogut”, ka shkruar Xhaçka në llogarinë e saj në Twitter.
Kujtojmë se për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kosova në targa dhe dokumente kalimi ka pasur tensione të mëdha politike. Në Kosovë dhe Serbi për këtë temë kanë qëndruar i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Para pak minutash, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje ku Serbia ia ka pranuar Kosovës dokumentet e kalimit. / Gazeta10