Trajneri argjentinas, Mauricio Pochettino pritet të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës së Chelseat.
Siç raportojnë mediat angleze, kryesia e klubit londinez kanë marrë vendim që Pochettino të jetë shef i shtabit teknik i kësaj skuadre.
Pochettino aktualisht është i pa punë dhe raportohet se do të ishte i hapur për një rikthim në Ligën Premier.
Argjentinasi më parë ka qenë në krye të klubit tjetër londinez, Tottenhamit, ekip në të cilin qëndroi gjatë viteve 2014-2019.
Së fundmi, Pochettino ishte trajner i skuadrës së Paris Saint-Germainit ku u largua nga kjo skuadër në korrik të vitit të kaluar.
51-vjeçari me ekipin parisien arriti të fitojë kampionatin francez, Kupën e Francës dhe Superkupën Franceze.
Në të kaluarën, tekniku argjentinas ka qenë trajner i Espanyolit dhe Southamptonit.
Chelsea nuk po kalon në formë aspak të mirë këtë edicion dhe ka ndërruar plot tre trajnerë gjatë këtij edicioni.
Thomas Tuchel dhe Graham Potter ishin shkarkuar nga kryesia e klubit, ndërsa deri në fund të sezonit skuadrën do të drejtojë Frank Lampard.