
Raporti: Saranda Aliu
Këtë vit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës u detyrua të paguaj mbi 257 mijë euro, për palët që janë liruar nga paraburgimi në procedurë të rregullt. Deri më tani kompensim të dëmit kërkuan 152 persona, derisa thuhet se numri i tyre vazhdimisht po rritet. Njohësit e drejtësisë, kanë kritikuar prokurorët e gjykatësit që nuk po e vlerësojnë në kohë nëse palëve do duhet t’iu caktohet masa e paraburgimit ose jo. Për shkak të kësaj, sipas tyre, përveç privimit nga liria, edhe buxheti i shtetit po humb miliona euro.
Mbajtja e qytetarëve në paraburgim apo në dënim pa të drejtë për vepra të ndryshme penale, buxhetit të Kosovës po vazhdon t’i kushtojë miliona euro.
Vetëm gjatë këtij viti Këshilli Gjyqësor i Kosovës u detyrua të kompensoj rreth 257 mijë euro.
Nga ky institucion kanë thënë se deri më tani kompensim dëmi kanë kërkuar 152 persona, derisa thonë se numri i kompensimeve për këto raste është në rritje e sipër.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e kanë parë shqetësuese këtë, duke thënë se krejt kjo është si pasojë e akuzave të pabaza dhe vendimeve joligjore të shqiptuara nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Avokati Emrush Kastrati ka thënë se ekzistojnë edhe masa të tjera alternative që duhet t’iu caktohen të dyshuarve.
I fundit ka qenë edhe rasti i tri infermiereve që dyshoheshin për dhunë fizike ndaj një të moshuare në qendrën e të moshuarve në Pejë, të cilave iu është caktuar masa e paraburgimit, por të njëjtat pas disa ditësh janë liruar. / Kanal10