Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbi 1 mijë punëtorë fitojnë kontestin për paga shtesë për orët e punës në vikend në KEK

Gazeta10
09 October 2022 - 14:02

Mbi 1 mijë e 200 punëtorë  të KEK-ut kanë fituar në tri shkallshmëri betejën ligjore civile, të cilët e kishin nisur kundër të paditurës KEK në vitin 2012 për kompensimin e pagave shtesë për punën e kryer gjatë fundjavës, transmeton Gazeta10.

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kishin ngritur padi në vitin 2012, duke pretenduar se e paditura nuk i kishte kompensuar shtesë gjatë punëve të fundjavës për periudhën 1 tetor 2011 deri më 30 shtator 2017.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur se paditësit nuk ishin kompensuar për punën shtesë  gjatë fundjavës, e drejtë kjo që iu takonte në bazë të nenit 56par.1 të Ligjit të Punës në të cilin ceket se “Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë: 20%  në orë për kujdestari, 30% në orë për punë gjatë natës dhe punë jashtë orarit, 50% në orë për punë gjatë ditëve të festave dhe 50% në orë për punë gjatë fundjavës”.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, rezulton se ishte provuar në bazë të kontratave të punës të vitit 2011 dhe nenit 39 të Kodit të Punës se ishte e paraparë kompensimi për orët shtesë për punën gjatë fundjavës.

“Megjithatë nga provat e administruara gjykata ka gjetur se paditësit posedojnë kontratat e punës me të cilat argumentohet se të njëjtin punojnë me ndërrime, ashtuqë nga ekspertiza financiare është vërtetuar se ata kanë punuar edhe ditëve gjatë fundjavës (të shtunave dhe të dielave) varësisht prej kohës së punës përkatësisht ndërrimeve ndërsa e paditura nuk ua kompensuar 50% për orët për punë gjatë fundjavës e as nuk ua ka dhënë ndonjë ditë të lirë në emër të pagës shtesë”, thuhet në arsyetimin e vendimit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.