Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vaj palme dhe përbërës të tjerë të fshehur në produktet e qumështit – Ja çfarë zbuluan analizat e AUV-it

Gazeta10
04 August 2026 - 10:42

Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë. 

Në një konferencë për media të martën, drejtori ekzekutiv në AUV, Bekim Hoxha, ka bërë të ditur se në periudhën prill-korrik janë kryer kontrolle në treg, në njësi prodhuese, kufij e përpunues të qumështit. Sipas tij, janë marrë 495 mostra që janë analizuar. Nga të dhënat që ka përmendur ai, janë identifikuar 93 mospërputhje, e që gati gjysma e tyre kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Vaji i palmës është përmendur në 46 raste të mospërputhjes, pasuar nga prania e vajrave bimorë, niseshtes e qumështit pluhur.

“Analizat në laboratorin e AUV-it, mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve përbërësit nuk janë proklamuar në etiketë në mënyrën e kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, ka thënë ai gjatë konferencës, ndërsa kur ka ofruar detaje për këtë ai ka thënë se në 85 raste ka pasur prani të përbërësve të padeklaruara në etiketë, ndërsa në 8 të tjera përbërës të deklaruar por të padetektuar gjatë analizës. “Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, duhet të tregohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”.

Hoxha ka thënë se analizat kanë gjetur se një numër i madh operatorësh posedonin aprovimin për përpunim qumështi apo produkte qumështi, por jo për përpunim të vajit të palmës, yndyrës bimore, qumështit pluhur apo përbërësve të tjerë zëvendësues.

Hoxha ka thënë se aksioni nuk ka qenë kundër sektorit të qumështit dhe se rezultatet s’duhet të shihen si tregues se sektori është i pasigurt. Ai ka thënë se ka nevojë për vazhdim kontrolli teksa nga AUV-ja është rekomanduar për rregulla më të qarta për prodhimin, autorizimin, emërtimin dhe etiketimin e produkteve që përmbajnë vajra bimorë e zëvendësues të tjerë.

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka thënë se qumështi i fermerëve të Kosovës është më i miri. Por sipas tij jo gjithmonë pas dorëzimit ai e ruan cilësinë.

“Kjo ka qenë arsyeja pse kontrolli zyrtar është kryer te përpunuesit dhe te distributorët. 
“Aty siç evidentohen nga raporti ka të tillë që  e kanë tradhtar besimin e fermerit dhe të konsumatorit”, është shprehur Muja. 

Ai ka treguar edhe masat që do të ndërmerren.

“Ata të cilët kanë lëshuar gabime të tilla në emër të profitit, pa konsideruar ndjeshmërinë,  do të përballen me masa korrigjuese. Ato do t’i komunikojë fillimisht AUV-ja dhe pastaj ne do të krijojmë një matricë të përputhshmërisë, produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, aktivitete e paligjshme dhe të paaprovuara duhet të suspendohen ashtu siç e kërkon  ligji dhe të gjitha aktivitetet e tjera duhet të monitorohen rreptë nga AUV-i që të sigurohet që produktet i përmbushin kriteret”, ka theksuar Muja.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.