
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe shpreh mirëkuptim për shqetësimet e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit të tij.
Sipas ministrisë, fermerët janë baza e prodhimit vendor dhe partnerët kryesorë të institucioneve në garantimin e sigurisë ushqimore të vendit. MBPZhR thekson se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen, pasi ato lidhen ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim.
Ministria njofton se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike që fermerët mund të pësojnë si pasojë e vendimeve të operatorëve ekonomikë.
Në reagim thuhet se veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
MBPZhR bën të ditur se ka intensifikuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, analizat laboratorike, si dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në industrinë e qumështit. Sipas ministrisë, këto masa zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët dhe kanë për qëllim respektimin e legjislacionit në fuqi.
Ministria thekson se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore mbron konsumatorët, fermerët dhe konkurrencën e ndershme, ndërsa mosrespektimi i tyre dëmton besimin në treg dhe ushtron presion mbi prodhimin vendor.
Në fund, MBPZhR rithekson përkushtimin për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë dhe mbështetjen e një sektori të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të qumështit. Ministria u bën thirrje të gjithë operatorëve të sektorit që të respektojnë detyrimet ligjore, të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse dhe të kontribuojnë në një zgjidhje që mbron fermerët, konsumatorët, industrinë përpunuese dhe prodhimin vendor.