Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Arrestohen dy persona në Podujevë, policia zbulon plantacion me 201 bimë të dyshuara kanabisi

Gazeta10
06 July 2026 - 17:39

Dy persona janë arrestuar të dielën në Podujevë, pasi u kapën në flagrancë duke u përkujdesur për një plantacion me 201 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas policisë, aksioni është zhvilluar më 6 korrik nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Prishtinë, pas veprimeve operative dhe hetimore të ndërmarra mbi dyshimet për kultivim të bimëve narkotike.

“Njësitë përkatëse policore kanë realizuar një plan taktik, me ç’rast janë identifikuar dhe lokalizuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë zënë në flagrancë duke u përkujdesur për bimët e dyshuara të mbjella në një plantacion, në sasi prej 201 copësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se për rastin është njoftuar prokurori kompetent, me të cilin janë koordinuar veprimet e mëtejshme procedurale.

“Në konsultim me prokurorin janë marrë mostrat e nevojshme nga bimët e mbjella, ndërsa pjesa tjetër e tyre është shkatërruar në vendin e ngjarjes”, thuhet më tej në njoftim.

Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe dy bastisje në shtëpitë e të dyshuarve. Gjatë kontrollit në njërën prej tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar një qese të vogël me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 1.7 gramë.

“Sipas procedurave ligjore, në vendngjarje është bërë fotografimi dhe konfiskimi i dëshmive të gjetura si prova materiale, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.