Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mehaj flet për shpenzimet në ministrinë e tij, i akuzon mediat për keqinformim

Gazeta10
24 September 2022 - 16:13

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka folur për shpenzimet në ministrinë e tij ku ndër të tjera ka akuzuar mediat për keqinformim, raporton Gazeta10.

Ai fillmisht ka folur për angazhimin e tij ku ka thënë se janë duke punuar që FSK të jetë brenda standarteve të NATO-së.

Tutje, ai ka thënë se pavarësisht se kjo kërkon shumë punë ky qëllim nuk kërkon edhe shume shpenzime.

Mehaj ka thënë se disa media më shumë po kanë bërë keqinformim dhe keqinterpretimin e të dhënave.

Po ashtu, në fund Mehaj ka folur specifikisht për shpenzimet në ministrinë që ai drejton.

Këtu keni statusin e plotë:

“Reagim

Ministria e Mbrotjes si institucion me specifika të veçanta dhe unë si ish-oficer që më është besuar detyra e ministrit në menaxhimin e komponentës më të rëndësishme shtetërore, ushtrisë së Republikës së Kosovës, angazhohem maksimalisht që bashkarisht me nivelin komandues të FSK-së të ngrisim kapacitetet ushtarake në nivelet që plotësojnë standardet e NATO-s, e padyshim kjo për mua do të thotë punë në teren dhe takime të pafunda me përfaqësues të shteteve aleate, bashkëpunimi me të cilët është qenësor në përmbushjen e objektivave tona.

Kjo do të thotë më shumë punë, shumë më shumë punë por jo dhe shpenzime.

Për disa medie të cilat ndoshta nuk kanë gjetur kohën e mjaftueshme për të promovuar punën e Ministrisë së Mbrojtjes, ngase më tepër kanë qenë të angazhuar në keqinformimin e publikut, si dhe keqinterpretimin e të dhënave, dua të ndaj me ta vlera të krahasueshme të cilat sipas vullnetit ndoshta edhe mund t’u shërbejnë për të parë pa ngarkesa ndikimesh anën pozitive të punëve që po kryhen, të cilat padyshim se do të jenë edhe më intensive muajve në vijim, sepse jemi zotuar para qytetarëve se do të fitojmë çdo betejë të nevojshme për të ngritur ushtrinë dhe shtetin në nivelin e pritshmërive të tyre, të krahasueshëm me çdo shtet evropian.

Në kuadër të kësaj janë zhvilluar qindra takime me përfaqësues ndërkombëtar, numrin e delegacionit të të cilëve nuk e kemi përcaktuar ne, por përmbajtësisht marrëveshjet të cilat duam t’i arrijmë, dhe i kemi arritur.

Si asnjëherë më parë kemi rritur numrin e rekrutëve dhe kemi shumëfishuar investimin në blerjen e pajisjeve ushtarake dhe ngritjen e infrastrukturës së përgjithshme, e në anën tjetër kemi ndërprerë praktikat e dëmshme.

Asnjë anëtar i stafit të kabinetit nuk merr asnjë kompensim mbi pagën bazë, si dhe nuk kanë në shfrytëzim vetura zyrtare, praktika të cilat kanë qenë të njohura më parë.

Jemi gjithmonë për monitorim nga ana e medieve, por nga medie dhe gazetar të pavarur të cilët hulumtojnë vërtetësinë e informatave dhe trajtojnë lajmin drejt, jo sa për klikime”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.