Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 7 Marsit ka takuar mësuesen e tij të parë, Igballe Haziri, raporton Gazeta10.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një thirrje fisnike që kërkon durim, ndjeshmëri, patriotizëm dhe pasion, për t’ua përcjellë vlerat dhe virtytet më të larta gjeneratës së re.
“Në këtë aspekt, kontributi i mësimdhënësve tanë në frymëzimin e brezave të ri për lirinë dhe dashurinë ndaj Atdheut, ka qenë vendimtar edhe në çlirimin e Kosovës. E tillë ka qenë edhe mësuesja ime, Igballe Haziri, të cilën, bashkë me Blerandin e vizituam sot ne ditën e saj. Është gjithmonë kënaqësi e madhe ta takoj dhe të bisedoj me të për një periudhë shumë të dashur për mua. Fjalët dhe zemra e saj nuk kanë ndryshuar asnjëherë gjatë 35 viteve të fundit. Mesazhi i saj është gjithmonë i qartë e kuptimplotë – i dëshmuar përgjatë një jete në arsim: bëjini gjithmonë gjërat me dashuri e përkushtim, posaçërisht për gjeneratat e reja dhe për shtetin”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi duke uruar të gjithë mësimdhënsit për Ditën e Mësuesit, thotë se ata meritojnë kujdes më të madh.
“Për gjithçka që janë dhe përfaqësojnë, mësimdhënësit meritojnë kujdes më të madh e më të sinqertë. Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqënies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Gjithsesi, puna nuk ka mbaruar. Ata meritojnë më shumë e më mirë, përherë dhe vazhdimisht! Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve! Atyre që mbajtën gjallë arsimin shqip në të kaluarën dhe atyre që vazhdojnë të japin maksimumin për edukimin e gjeneratave të reja sot!”, shkruan Krasniqi./Gazeta10