Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mes kritikash, Kuvendi miratoi strategjinë për siguri

Gazeta10
24 October 2022 - 19:58

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë për Siguri, anipse përmbajtja e këtij dokumenti u kundërshtua nga partitë opozitare. Kryeministri Albin Kurti, ka prezantuar këtë strategji, derisa kërkoi sërish nga qytetarët që kontribuojnë në Fondin për Siguri. Përveç opozitës, mospajtime për strategjinë 5 vjeçare të sigurisë ka shprehur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli.

Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Rexhep Gashi.

Pavarësisht mospajtimeve pushtet-opozitë, Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë për Siguri 2022-2027.  

Por, para se të hidhej në votim, ky dokument u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, për çka edhe mori kritika të shumta nga deputetët opozitar.

Shefi i ekzekutivit, vlerësoi se si parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, është anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian.

Kurti ka thënë se krahas rritjes se buxhetit kanë përshpejtuar blerjet ushtarake dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Derisa,u  ka bërë thirrje sërish qytetarëve që të kontribuojnë në Fondin për Siguri.

Ky dokument, sipas deputetëve nga opozita që janë pjesë edhe e komisionit për siguri ka mangësi të theksuara.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kërkoi nga qeveria që të merren parasysh edhe komentet e tyre.

Të pakënaqur me përmbajtjen e strategjisë së sigurisë ishin edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.

Edhe një herë tjetër, mospajtime me Vetëvendosjen, ka shprehur deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli, i cili ka abstenuar kur u hodh në votim.

Strategjia 5 vjeçare për siguri mori votat e 61 deputetëve, derisa opozita nuk mori fare pjesë në votim.

Në fillim të seancës, nuk u miratua projektligji për Qeverinë e Kosovës dhe ai për  Noterinë, për shkak të mungesës së kuorumit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.