
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Agon Maliqi, ka thënë se Serbia po përfiton nga situata e re gjeopolitike teksa ka kritkuar Qeverinë e Kosovës, raporton Gazeta10.
Maliqi ka thënë se presidenti i Serbisë po tregohet më i shkathët për t’i kapitalizuar në favor të Serbisë rrethanat e reja ndërkombëtare.
Tutje, Maliqi ka përmendur disa momente ku Vuçiq ka lëvizur drejtë sipas tij.
Më tej, ai ka thënë se Kosova përmes politikave të saj “sovraniste”, ka rrezikuar pozicionin e saj.
Ai ka thënë se këto janë rrethanat që po ndikojnë që Serbisë askush të mos ia imponojë njohjen e Kosovës.
Këtu keni statusin e plotë:
“Mesazhet si ato të djeshmet mundem me ju ra kresë vetëm atyre që në mënyrë konsistente ushqejnë iluzione populliste dhe refuzojnë me i pa realitetet e ndryshuara gjeopolitike. Së fundmi edhe faktin se në kulmin e luftës më të madhe dhe më të paparashikueshme në Evropë prej dekadash, interesi kryesor i perëndimit ka qenë mbajtja e paqes në Ballkan dhe zmbrapsja e Rusisë.
Vuçiq si dinak që është dhe si lexues i mirë i interesave gjeopolitike, e kuptoi shpejt rrezikun që i vjen nga dobësimi i Rusisë. Prandaj edhe përkundër retorikës dhe qëndrimit neutral në raport me Rusinë, i kreu punë NATO-s duke i frenuar serbët në Bosnje prej aventurave dhe (spekulimet thonë) duke dërguar armë fshehurazi në Ukrainë. Paralelisht ia porositi Francës 12 avionë ushtarakë Rafael dhe i thelloi diskutimet me SHBA për heqjen e varësisë nga energjia ruse. Ia dha perëndimit edhe disa fitore simbolike si votat kundër Rusisë në OKB. Krejt kjo me synimin për të fituar mirëkuptim dhe për t’i zbutur presionet perëndimore për Kosovën dhe për sanksionet ndaj Rusisë.
Kosova në anën tjetër në rrethana të një lufte evropiane, në kurriz të sigurisë së garantuar nga NATO, u ndërsye për të imponuar marrëveshje teknike për dokumente të identifikimit dhe për t’i ndaluar zgjedhjet serbe, sepse kështu donte me u ndi mirë populli. Mos të flasim për refuzimet e mëhershme për bashkëpunim rreth projekteve strategjike si gazsjellësi apo për refuzimet për të zbatuar vendime të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë gjithë kohës me njëfarë qasje thuajse bota na ka diçka borxh dhe me pritjen se është bota ajo që duhet të këndellet dhe të kthehet në rrugë të drejtë.
Askush nuk donte ta dëgjonte argumentin se kostot e kësaj strategjie “sovraniste” do të paguhen në tema më të rëndësishme. Vuçiq në këto raste vazhdimisht i krijonte vetes penallti duke i provokuar ndërhyjet tona dhe duke u tërhequr në fund për të fituar pikë në perëndim si “faktor stabiliteti”.
Tash po habiteni pse dikush nuk ia imponon njohjen?”, ka shkruar Maliqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10.