Lajme

Mijëra kilogramë barna serbe të konfiskuara, gjobiten nëntë barnatore

Gazeta10
18 Gusht 2024 - 11:57

Barnat ilegale serbe po vazhdojnë të jenë pjesë e tregut farmaceutik kosovar. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Inspektorati Farmaceutik i Kosovës ka ndëshkuar nëntë farmaci për shkelje të ligjit, pasi janë gjetur produkte medicinale me origjinë serbe në to. Në vitin 2023, ky inspektoriat kishte evidentuar 69 raste të tilla. Përveç kësaj, Dogana e Kosovës ka konfiskuar medikamente me origjinë serbe në vlerë mbi 116 mijë euro nga janari deri në qershor të vitit 2024.

Se barnat ilegale me origjinë serbe janë të pranishme në tregun farmaceutik kosovar e pohojnë edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK).

Inspektoriati Farmaceutik i Kosovës ka njoftuar, se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, janë shqiptuar gjithsej 76 gjoba. Në këtë periudhë, në 14 farmaci janë hasur produkte ilegale, nga të cilat 9 ishin me origjinë serbe. Gjithashtu, janë evidentuar 6 farmaci që ushtronin veprimtari të paligjshme me produkte farmaceutike, ku 4 prej tyre ndodhen në veri të Republikës së Kosovës.

“Gjatë vitit 2023, Inspektorati Farmaceutik ka shqiptuar gjithsej 249 gjoba. Këto gjoba janë shpërndarë për shkelje të ndryshme, duke përfshirë: Staf joprofesional, barna ilegale, subjekte ilegale, administrim të recetës, administrim të banderolës, SPO etj. Gjatë vitit 2023 janë identifikuar 87 subjekte që tregtojnë produkte ilegale dhe 4 subjekte që kanë ushtruar veprimtari ilegale. Në data bazën e Inspektoratit Farmaceutik janë evidentuar 69 subjekte që kishin produkte me origjinë nga Serbia. Ndërsa, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, janë shqiptuar gjithsej 76 gjoba. Në këtë periudhë, 14 subjekte janë hasur me produkte ilegale, prej të cilave 9 subjekte kishin produkte medicinale me origjinë serbe. Po ashtu, 6 subjekte janë hasur duke ushtruar veprimtari ilegale me produkte farmaceutike, prej të cilave 4 janë në veri të Republikës së Kosovës”,thuhet në përgjigjen e tyre për KosovaPress.

Po ashtu,  sipas të dhënave të Doganës së Kosovës gjatë vitit 2023, janë zbuluar 20 raste të mos deklarimit të barnave me origjinë serbe në brezin kufitar dhe pikat e kalimit kufitar.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ata kanë identifikuar 7 raste të ngjashme.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se vlera e barnave me origjinë serbe të konfiskuara nga janari deri në qershor të këtij viti, është mbi 116 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit 2023, kjo vlerë ishte afërsisht 91 mijë euro.

“Gjatë vitit 2023 kemi pasur 20 raste të zbuluara të barnave të kontrabanduara të cilat janë zbuluar si: përgjatë brezit kufitare, pastaj ka pasur raste duke tentuar te futen edhe përmes Pike Kalimit Kufitare duke mos i deklaruar ato…Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ka pasur 7 raste të zbuluara të barnave në formë dhe mënyrë të përshkruara si me lartë për vitin 2023. Barna e kontrabanduara janë të të gjitha llojeve pa përjashtim”, thuhët në përgjigjen e Doganave të Kosovës.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha tha se është një numër i konsiderueshëm i barnave ilegale në tregun farmaceutik të Kosovës.

Sipas tij, mosimplementimi i ligjit për çmimin e barnave dhe udhëzimi administrativ pa paralele, janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në praninë e këtyre barnave nëpër farmaci.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.