
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se Komisioni disiplinor ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, i cili është përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Aliu, tha se për procesin e Nexhat Krasniqit e ka informuar edhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.
I pyetur se a do të kërkohet auditim i brendshëm i kontratave të cilat janë nënshkruar nga ish shefi i prokurimit, Nexhat Krasiqi, ministri Aliu tha se nëse marrin informacione nga DASH rreth rastit të Krasniqit, për ndonjë situatë të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim.
“Sot kemi marrë informacion se Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për rastin e Nexhat Krasniqit. Vendimi është heqje nga shërbimi civil”.
“Më datën 3 të këtij muaji jemi njoftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përkatësisht nga mediat për zotin Krasniqin. Në po të njëjtën ditë është marrë vendimi i pezullimit nga pozita. Po atë ditë dhe që nga ajo ditë deri në sot kemi arritë në pozitën kur Krasniqi me vendim të komisionit është heqë nga shërbimi civil. Në ndërkohë më datën 15 është vendosë në pozitë të u,d të përkohshëm për të cilën pastaj do të hapet konkursi për të dyja pozitat dhe të hënën është bë kërkesa nga Komisioni disiplinor për të marrë vendimin që është marrë sot. Për këtë proces e kemi mbajtur të informuar edhe Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë”.
Ministri Aliu ka thënë se mund të ketë auditim të kontratave të nënshkruara nga Nexhat Krasniqi.
“Në shumicën e projekteve që bëhen, shumica e tyre thuajse janë auditu. Përpos që organizojmë auditime të veçanta ne vet, auditimin e rregullt e kemi edhe të brendshëm edhe të jashtëm, por tash pas kësaj situate, sidomos duke pritë informacione që do të marrim edhe nga DASH mbi situatën me Nexhat Krasniqin çkado që shpie në ndonjë situatë të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim”, tha Ministri Aliu.
Nexhat Krasniqi është përfshirë në listën e zezë të SHBA’së shkaku i një afere të madhe korruptive në Kosovë, kishte njoftuar DASH më nëntor 2023.
Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë. Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.
Tek dje, Komisioni Disiplinor e përjashtoi atë nga shërbimi civil, si masë disiplinore.
Deri te kjo masë erdhi tek pas reagimeve për avancimin në MMPHI të të sanksionuarit për korrupsion nga SHBA-ja pati reagime të mëdha nga shoqëria civile.