
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar nga sheshi pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë për Kanal 10, Musliu e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm, duke thënë se, sipas saj, me këtë aktgjykim nuk janë dënuar vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por edhe lufta çlirimtare e Kosovës dhe historia e vendit.
“Dënim kriminal nga një gjykatë kriminale. Mënyra se si janë dënuar sot ish-krerët e UÇK-së e ngre këtë gjykatë në një gjykatë kriminale”, është shprehur Musliu.
Ajo ka thënë se vendimi prek, sipas saj, edhe pavarësinë e Kosovës, dëshmorët, gratë e dhunuara gjatë luftës dhe familjet e personave të zhdukur.
“Sot nuk janë dënuar vetëm këta katër në emra të përveçëm. Sot është dënuar lufta çlirimtare e Kosovës, pavarësia e Kosovës, historia e Kosovës, dëshmorët e Kosovës, gratë e dhunuara dhe nënat e të zhdukurve”, ka deklaruar ajo.
Musliu e ka konsideruar vendimin të papranueshëm dhe ka thënë se në të, sipas saj, nuk është dhënë një vendim i drejtë.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë kundër vendimit.
“Unë i ftoj qytetarët e Kosovës që të gjejnë rrugë dhe të vijnë të protestojnë kundër këtij vendimi të gjykatës”, ka thënë Musliu.
Ndërkohë, sa i përket raportimeve për nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance parlamentare me pikë të vetme të rendit të ditës – zhbërjen e Gjykatës Speciale – Musliu ka thënë se nuk është në dijeni për një nismë të tillë.
/Gazeta10