
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka folur në Prime Time në Kanal10 rreth licencimit të Federatave dhe organizatave sportive në Kosovë.
Çeku tha se kriteret e licencimit kanë qenë mjaftë rigoroze, madje për të arritur një gjë e tillë, ai tha se krerëve të Federatavie sportive, u është kërkuar edhe dëshmia shtesë se nuk janë nën hetime dhe as të dënuar, shkruan Gayeta10.
“Pothuajse asnjë licencë nuk është marrë në afatin e parë. Pra, ne kemi pasur edhe seanca të rregullta të informimit nga Federatat. Ankesat kanë qenë shumë të mëdhaja në fillim. Ka qenë një bindje në komunitetin e sportit, që nuk do të licencohet asnjë Federatë, sepse kështu është perceptuar niveli i kritereve. Kriteret kanë qenë shumë më të forta se herave të kaluara. Kemi qenë shumë rigoroz në ato kritere, sepse besojmë në nevojën për ta konsoliduar sportin në Kosovë. Ka qenë i vështirë dhe mjaftë i mundimshëm ku kanë përfituar edhe klubet. Sepse kjo nuk kërkon vetëm licencim të Federatave por të të gjitha klubeve”, tha ministri Çeku në Prime Time.
Ministri Çeku madje, tha se s[do të ketë asnjë licencë pa u verifikuar nëse udhëheqësit e këtyre Federatave janë të pastër me drejtësinë.
“Të gjithë duhet të sjellin dëshmi që krerët e Federatave nuk janë nën hetime e s’janë të dënuar. Edhe Kryesia edhe organet udhëheqëse, të gjithë e kanë për detyrë të sjellin atë dëshmi. S’do të ketë asnjë lëvizje për tu licencuar pa e ditur se është i pastër me drejtësinë. Ministria nuk ka shkop magjikë. Federatat janë OJQ, shoqata të vetorganizuara”, tha tutje Çeku. /Gazeta10