
Me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, mirëpo me bojkotim nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës të hënën.
Projektligji është prezantuar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ka thënë se është i nevojshëm rregullimi ligjor në fushën e inteligjencës në mënyrë që ministria dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të përmbushin misionin e tyre.
“AISM-ja mbështetë autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në kryerjen e misionit të tyre kushtetues ligjor me informacion përkatës të saktë dhe në kohë me inteligjencë, kundër-inteligjencë dhe siguri” – tha Mehaj.
Tutje ai shtoi se fushë-veprimtaria e AISM-së shtrihet edhe brenda vendit, por me theks të veçantë ajo merret edhe me zbulime dhe kundërzbulime që vijnë nga jashtë vendit andaj ministri Mehaj kërkoi që të votohet ky ligj dhe po ashtu falënderoi SHBA-në që i ka mbështetur në këtë projektligj në çdo hap.
Edhe kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje Bekë Berisha, deputet nga radhës e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës kërkoi nga ana e kolegëve të tij që të votohet projektligji në fjalë.
“Unë i kuptoj edhe disa vendime të partive politike për bojkot, mirëpo ju ftoj të gjithëve që të përkrahim këtë ligj sepse është shumë i rëndësishëm” – tha ai.
Ndërsa, një mendim të njëjtë e pati edhe Hisen Berisha – PDK. Ai tha se vërejtjet e tija për plotësime për këtë projektligj do t’i dërgojë me shkrim.
Diçka e tillë ai tha se mund të ndodhë vetëm nëse moratoriumi partiak i PDK-së nuk e përfshinë edhe sanksionimin e këtij kontributi, pasi kjo parti ka vendosur që të mos votojë në asnjë ligj, projektligj apo çka do tjetër në Kuvend.
“Mendoj që ky ligj e meriton të kalojë dhe FSK për të arritur funksionalitetin e plotë e meriton të ketë këtë ligj” – tha Berisha.
Bashkëpartiaku i këtij të fundit, Rashit Qalaj po ashtu tha se mbështet projektligjin për AISM duhet të votohet.
Ai po ashtu shtoi se e falënderon ministrin që i ka ftuar në ambientet e Ministrisë pasi si Komision për Siguri kanë pasur mundësi që të diskutojnë dhe të shkëmbejnë ide të ndryshme për këtë projektligj.