Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Molliqaj viziton ish-krerët e UÇK-së: Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë

Gazeta10
08 February 2023 - 18:35

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, po qëndron për vizitë në Hagë, ku ka takuar në paraburgim të akuzuarit që po përballen me drejtësinë atje, përfshirë edhe krerët e UÇK-së.

Këtë, Molliqaj e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, raporton Gazeta10.

“Bashkë me Qëndronin dhe Kujtimin për 3 ditë rresht po qëndrojmë në Hagë. Udhëtimi në Hagë qenka edhe udhëtim në kohë. Siç duket koha historike nuk e ndjek lëvizjen e njetrajtshme e të kurdisur të akrepave. Përjetuam diçka që e kemi ditur si të kryer. Forcat që tërheqin nga mbrapa nuk e pranojnë ngadhënjimin e të vërtetës. Haga të dashur miq është Kosova alternative. Haga është Kosova që mund ta kishim pa UÇK-në. Të mbyllur me dyer hekuri”, ka shkruar Molliqaj.

“I pamë dhe i takuam të gjithë. Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin. Respektivisht, aty ishte politika e luftës; informimi e fjala e saj; zbulimi e guerilja; disiplina e mbikëqyrja”, ka shtuar Molliqaj.

Kreu i PSD-së tha se ndjesia e tij ishte sikurse në Hagë po jetohet në vitit 1997-1999.

“Bisedat tona janë endur, janë përzier e janë kryqëzuar. Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave”, shtoi Molliqaj.

Kjo vizitë e Molliqajt bart në vete një kthesë të madhe në raportet mes Molliqajt dhe krerëve të luftës.

Gjatë kohës që ishte në Vetëvendosje, Molliqaj ishte mjaftë i ashpër në sulme politike ndaj krerëve të PDK-së, veçanërisht ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.