
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, është shprehur tepër i shqetësuar rreth ndryshimeve të fundit në financimin e mbrojtjes së ish-Presidentit, Hashim Thaçi, gjë që ndodhi pas ndërrimit të Udhëzimit Administrativ nga Ministria e Drejtësisë; ku kufizohet ndjeshëm mbulimi i mbrojtjes, për çka edhe shtoi se “heshtja përball kësaj çështje nuk i bën nder vendit”.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka shkruar se “është evidente” që tashmë mungon ndihma nga institucionet përkatëse të Kosovës për të akuzuarit, për çka shtoi se është duke e përcjellur me vëmendje.
“Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes financiare dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin. Për më tepër e ritheksoj se e kemi obligim ligjor dhe moral ta mbrojmë të vërtetën e Lirisë së Kosovës, e t’ju dalim hakësh burrave të lirisë”, ka shkruar Hamza.
“Qeveria e Republikës së Kosovës jo që duhet ta zvogëlojë mbështetjen por duhet t’i rrisin financimet për mbrojtjen e themeluesve të UÇK-së. Kështu ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e saj, përfshi gjeneralët shqiptarë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne. Heshtja përballë kësaj çështje nuk i bënë nder vendit!”, ka thënë më tej ai. /Gazeta10/
