
Gazetarja Sara Shehu ka folur në emisionin “n’Fluturim” në Kanal10 për gjendjen e grave që përballen me kancerin e gjirit, si dhe për sfidat me të cilat përballen ato në institucionet shëndetësore në Kosovë.
Shehu ka thënë se ngjyra rozë është simbol i muajit të ndërgjegjësimit dhe vetëdijesimit për luftimin e kancerit të gjirit, por sipas saj, kjo ngjyrë nuk e pasqyron plotësisht realitetin me të cilin përballen gratë në Kosovë.
“Ngjyra rozë është ajo që e përcakton muajin e ndërgjegjësimit dhe vetëdijesimit të grave për luftimin e kancerit të gjirit. Megjithatë, unë mendoj se kjo ngjyrë nuk e paraqet realitetin, sepse në realitet, në institucionet shëndetësore, duke filluar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, gjendja është krejt ndryshe”, ka deklaruar Shehu.
Ajo ka theksuar se shumë gra dhe nëna që po përballen me kancerin e gjirit kanë vështirësi në sigurimin e terapive të nevojshme.
“Ka shumë gra, nëna, të cilat përballen me luftën kundër kancerit të gjirit, por që e kanë të vështirë t’i marrin apo t’i gjejnë terapitë. Përveç mungesave të terapisë esenciale, ka edhe mungesa të terapisë për sëmundjet onkologjike”, është shprehur ajo.
Megjithatë, Shehu ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën shëndetësore, duke thënë se duhet të shihet edhe ana tjetër e situatës.
Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë ka investuar në pjesën infrastrukturore të Klinikës së Onkologjisë, ndërsa ka përmendur edhe rritjen e numrit të rasteve të trajtuara në kirurgjinë torakale.
“Ministria e Shëndetësisë ka investuar edhe në pjesën infrastrukturore të Klinikës së Onkologjisë. Tashmë, këtë vit, personat të cilët kanë kryer intervenime kirurgjikale në kirurgjinë torakale thuhet se janë 506 raste, krahasuar me vitin e kaluar, kur kanë qenë shumë më pak”, ka thënë Shehu.
Lajmin e plotë dhe deklaratën e saj mund ta ndiqni në videon e bashkangjitur./Gazeta10