
Analisti i njohur Shenoll Muharremi ka shprehur mendimin se edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) arrin të formojë një qeveri, ajo do të jetë një qeveri e paqëndrueshme dhe joefektive për të menaxhuar situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi.
Sipas tij, një qeveri e tillë nuk do të mund të funksiononte për një periudhë të gjatë dhe nuk do t’i nevojitej askujt, as liderit të LVV-së, Albin Kurtit.
Ai ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Kosovës, duke e cilësuar diplomacinë e deritanishme si “thuajse kriminale”.
Sipas analistit, kjo ka shkaktuar humbjen e aleatëve ndërkombëtarë dhe ka sjellë pasiguri në sektorin ekonomik, duke përmendur deficitin e madh të mallrave dhe largimin e qytetarëve nga Kosova për shkak të kushteve të vështira.
Për sa i përket energjisë, Muharremi ka theksuar se qeveria e Kurtit ka dështuar të krijojë kapacitete të reja dhe ka ndërprerë iniciativat për rritjen e kapaciteteve energjetike.
Ai ka kritikuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë për herë të tretë, duke paralajmëruar një inflacion të ri.
“Çfarë qeverie dëshiron të formojë kështu? Kjo qeveri nuk i duhet askujt dhe LVV-në e dërgon edhe më poshtë se kaq,” ka thënë analisti, duke shtuar se LVV duhet të formojë një qeveri stabile dhe kompetente ose të kalojë në opozitë.