Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Muja: Nga java tjetër i propozojmë masat për t’i ndihmuar bujqit e Istogut

Gazeta10
21 July 2026 - 15:18

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, u zotua sot t’i ndihmojë bujqit e Istogut që u dëmtuan nga breshri. Fjalët shpresëdhënëse i dha gjatë vizitës që bashkë me kryetarin e kësaj komune ua bënë të dëmtuarve.

Muja tha se hapi i parë që kërkohet është që komuna ta themeloj Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve, gjë që tha sipas Feratit, kjo gjë është bërë sot.

“Hapi i parë që kërkohet është nga komuna që ta themeloj Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve. Sa u informova prej teje, kjo ka ndodhur sot. Sigurisht, ne kërkojmë që kjo të bëhet në afatin më të shkurtë. Janë procedura burokratike por shpresoj që t’i tejkaloni sa më shpejtë. Ai raport kur të kompletohet, i njëjti duhet t’i dërgohet Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Agjencia në bazë të Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore e adreson atë tek qeverisja qendrore. Hapat duhet plotësuar, sepse duhet bërë vlerësimi i të gjitha kulturave, i të gjitha dëmeve, dhe ato të përpilohen në raport”, tha Muja.

Tutje, ai tha se bujqit në Istog i vizitoi me njerëzit më të rëndësishëm të ministrisë të cilën ai e drejton dhe se nga java tjetër do t’i propozojnë masat që do të mund t’i ndihmojnë ata. Kjo, derisa i hodhi poshtë akuzat se nuk ka pasur kompensime për dëmet e shkaktuara më herët nga fatkeqësitë natyrore.

“Nuk besoj se nuk ka pasur kompensim. Në fakt, nuk është ashtu. Ka ndodhur në vitin 2023, 2024 kjo ka ndodhur në rajonin e Skenderajt, rajonin e Mitrovicës, nuk jam i sigurt për të Istogut, e mbaj mend sepse kam qenë kryetar i Komisionit për Buxhet. Kjo është procedura ligjore që parashihet për kompensime të dëmeve. Ne do të punojmë paralelisht në dy drejtime, e para është aspekti procedural që e ndjek kryetari dhe e dyta është që me të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të Ministrisë së Bujqësisë janë bashkë me mu dhe nga java tjetër do t’i propozojmë masat se në çfarë forme mund t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë”, tha ai.

Istogu është një prej komunave më të prekura nga breshri i së hënës pasdite cili ka shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.