Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dyshohet se lëshoi leje për import të biocideve dhe pesticideve të ndaluara, arrestohet zyrtari

Gazeta10
21 July 2026 - 15:25

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me dyshimet për lëshimin e lejeve për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticideve të ndaluara për përdorim në Kosovë.

I dyshuari me inicialet N.M. po hetohet për veprat penale sipas neneve 414 dhe 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas arrestimit nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personi është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet kompetente.

Komunikata:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon një person për veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Falsikimi i dokumentit zyrtar’’

Prishtinë, 21 Korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, më konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorimin të pozitës apo autoritetit zyrtar – tejkalimin e kompetencave dhe falsifikimin e dokumentit zyrtar, sot është arrestuar një (1) person.

Sipas të dhënave fillestare, hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për lëshimin e lejeve për disa Operatorë Ekonomik, për importin e produkteve biocide dhe pesticide, të cilat janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.

I dyshuari me inicialet N.M, po hetohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe Falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 të KPRK-së.

Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.