
Në emisionin “Prime Time”, drejtori ekzekutiv i Syri i Vizionit, Veton Mujaj ka komentuar ndarjen buxhetore për vitin 2023 për komunat e Kosovës, raporton Gazeta10.
Mujaj, ka thënë se prioritet e komunave ndryshojnë, disa nga mjetet buxhetore do të shkojnë në paga, projekte kapitale, por në vendet ku demokracia është e zhvilluar më shumë, nevojat e qytetarëve do të jenë prioritet.
“Komunë prej komunës sigurisht që dallojnë prioritet, varësisht prej asaj se çka shohin në planet e tyre zhvillimore, të hyrat vetanake janë ato që vet i gjeneron komuna ndërsa garantët janë ato që kalojnë përmes projekteve të caktuara që komuna është e interesuar me i realizu. Normal pjesa më e madhe e këtyre mjeteve shkojnë në paga, arsimi, shëndetësia e pjesa tjetër e aspektit publik. Por pjesa kryesore është kjo e investimeve kapitale dhe ajo është baza kryesore që komunat synojnë që t’i arrijnë zhvillimet e caktuara përmes asaj linjës. Normal në disa komuna ku është më e zhvilluar pjesa më e drejtpërdrejtë me qytetarët është edhe ajo se çfarë janë kërkesat e qytetarëve, pra për me u realizu, shpesh aty ku ka pas suksese zhvillimi i demokracisë ka bërë që disa prej kërkesave të qytetarëve të futen në prioritet të komunave. Në këtë aspekt më së shumti ka ndihmuar funksionalizimi këshillave lokal nëpër komuna.”, ka deklaruar Mujaj.
Tutje Mujaj ka thënë se këshillat lokal në Komunën e Pejës kanë pasur një funksion shumë pozitiv në aspektin e realizimit të kërkesave të qytetarëve duke i vendosur si prioritete nevojat e tyre./Gazeta10