
Ish-i burgosuri politik Murat Musliu ka rrëfyer përvojën e tij gjatë viteve të qëndrimit në burg, duke kujtuar periudhën kur, sipas tij, ai dhe të burgosur të tjerë ishin të rinj dhe studentë.
Musliu tha se ishte dënuar me 13 vjet burg, ndërsa kishte vuajtur nëntë prej tyre. Ai tregoi se, pavarësisht moshës së re, ata kishin një ide të qartë për arsyen e qëndrimit të tyre në burg.
“Kam qenë i dënuar 13 vjet, 9 vjet i kam mbajtur. Atëherë kemi qenë djem të rinj, studentë, të gjithë 23 vjeç. Ne e kemi ditur për çka jemi. Kemi pasur idealet tona”, tha Musliu.
Duke folur për periudhën e vuajtjes së dënimit, ai përmendi edhe keqtrajtimet që, sipas rrëfimit të tij, kishte përjetuar gjatë kohës në burg.
“Ka pasur maltretime njerëzore që s’dua t’i përmend. Na kanë maltretuar pa ndërprerë deri në ditën e fundit, por na ka mbajtur ideali se një ditë do të fitojmë”, u shpreh ai.
Musliu e lidhi përmbushjen e synimeve të tyre me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zhvillimet që pasuan.
“Me luftën e UÇK-së u arrit ajo që e kërkuam”, tha ai gjatë rrëfimit në emisionin “Gazeta” të Kanal10.