
Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve për një mjet të dyshuar në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka pranuar informacionin rreth orës 17:00 dhe menjëherë ka dërguar njësitet relevante në vendin e ngjarjes.
Për arsye sigurie, qytetarët janë evakuuar nga zona, ndërsa njësitet policore kanë vendosur perimetër sigurie rreth vendit ku është gjetur mjeti i dyshuar.
Në vendngjarje ka intervenuar edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili ka kryer trajtimin e mjetit në mënyrë profesionale dhe të kontrolluar.
Policia bën të ditur se mjeti dyshohet se është lëshuar nga ajri, ndërsa ekzaminimet e mëtejshme do të përcaktojnë natyrën e tij dhe rrethanat e rastit.
“Policia e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e saj në garantimin e sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet dhe ekzaminimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, duke i ftuar që çdo informacion lidhur me mjete të dyshuara ta raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit digjital të Policisë.