Në komisionin për Arsim është duke marrur pjesë edhe Hekuran Murati në cilësinë e Ministrit të Financave, përballë Këshillit Grevist, raporton Gazeta10.
Ministri Murati me marrjen e fjalës filloi të bëjë pyetje që nuk janë në lidhje me temat e diskutimin, duke thënë se duhet t’i marrë në pyetje anëtarët e Këshillit Grevist, për ta ditur më mirë se kush janë ata.
“Thanë se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë, por konsideroj se megjithatë duhet t’i njohim më mirë, dhe nëse më lejohet kisha disa pyetje për anëtarët, sepse për z.Imeri është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike”, ka thënë Murati.
Ndërhyrja ka qenë e menjëhershëm nga anëtarët e Komisionit, Albena Reshitaj dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ku e kanë ftuar Muratin që të flasë për çështje financiare.
“Do të doja që për shkak të situatës që është paksa e elektrizuar, do të doja që të përmbahemi nga gjuha politike, dhe që të ofrojmë argumente dhe gjuhë teknike. Prandaj ministër Murati me lutjen kolegiale dhe institucionale të lutem të jesh sa me konciz në argumentet dhe argumentimet teknike dhe të tregosh implikimet buxhetore të kërkesave sindikale. Prandaj të lutem të na mundësosh të kemi një diskutim sa më racional”, ka thënë Gola.