
Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër lidhur me dërgimin e njësive speciale në Skenderaj, disa orë pas incidentit mes Mehanit e Lushtakut.
Sipas saj, bazuar në informatat që posedon, njësiti NJSO ishte nisur fillimisht me arsyetimin se po shkonte në një aksion në Veri, por gjatë rrugës kishte kuptuar se destinacioni real ishte Skenderaj.
Musliu pretendon se strukturat komanduese të policisë në Mitrovicë dhe njësia speciale kanë qenë nën “presion të tmerrshëm” nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, të cilin ajo e quajti “marionetë e Albin Kurtit”.
Ajo gjithashtu deklaroi se Mehani “do të mbahet mend si i pari pas Millosheviçit që kontribuoi në shtetrrethimin e Skenderajt”, duke shtuar se qëllimi i autoriteteve “nuk u realizua”.
Në fund, Musliu shprehu respekt për pjesëtarët e uniformuar që, sipas saj, treguan “rezistencë, qetësi dhe profesionalizëm”, duke përfunduar se “Drenica është gjithmonë vigjilente dhe në mbrojtje të shtetit dhe kombit”.