
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, duke ngritur shqetësime për sanksionet e vendosura ndaj vendit dhe ngecjen e procesit të integrimit evropian.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet raporti i BE-së për Kosovën, Musliu-Shoshi tha se vendi është i vetmi që ka qenë nën sanksione të Bashkimit Evropian për më shumë se një vit.
Ajo rikujtoi se kanë kaluar rreth dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila, sipas saj, është marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova ka me BE-në, por që është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.
Musliu-Shoshi theksoi gjithashtu se kanë kaluar katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por kërkesa vazhdon të mbetet pa shqyrtim.
“Jemi shteti i vetëm që ka qenë nën sanksione nga BE-ja për më shumë se një vit. Janë bërë rreth 10 vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe është marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova e ka me BE-në dhe këtë LVV-ja e ka kundërshtuar ashpër dhe e ka votuar kundër. Janë bërë katër vjet që kur Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE dhe ajo ka mbetur në sirtarë”, tha Musliu-Shoshi.