Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mustafa nuk deklarohet para trupit gjykues, Specialja pritet ta shpall aktgjykimin

Gazeta10
15 September 2022 - 19:01

I akuzuari nga Gjykata Speciale për krime lufte, Salih Mustafa, nuk e shfrytëzoi të drejtën të enjten, për të folur në fund të procesit gjyqësor, kur u mbajt seanca e deklaratave përmbyllëse.

Ai deklaroi para trupit gjykues se atë që ka pasur ta thotë, e ka thënë në fillim të procesit gjyqësor.

“Po zonja gjyqtare, nuk do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për shkak se jam i bindur se i kam thënë të gjitha në fjalën time hapëse kur iu kam drejtuar panelit”, ka thënë Salih Mustafa.

Me këtë ka përfunduar seanca në cilën janë dëgjuar deklaratat përmbyllëse nga palët.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që prokuroria ka ngritur mbi të. Të martën, prokuroria i ka kërkuar trupit gjykues që Salih Mustafën ta dënojë me 35 vjet burgim.

Mbrojtësja e viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues të urdhërojë Mustafën t’u paguajë kompensim viktimave që pretendohet të jenë në këtë çështje, individualisht.

Tanimë i është hapur rrugë shpalljes së aktgjykimit, që sipas turpit gjykues “do të ndodhë në kohën e duhur”.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur u arrestua. /Ksp/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
30 July 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.