
Një ditë pas zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë u përqendrua te nevoja për formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë theksoi rëndësinë që Kosova të ketë institucione plotësisht të mandatuara dhe të qëndrueshme, “pa asnjë vonesë të mëtejshme”.
“Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratë për REL
Ngjashëm, edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë shfaqi shpresën se negociatat paszgjedhore do të çojnë në formimin e shpejtë të institucioneve të reja, duke siguruar stabilitetin e nevojshëm për vazhdimin e reformave dhe adresimin e prioriteteve të qytetarëve.
“Ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës italiane për REL.
Tri palë zgjedhje brenda më pak se një viti e gjysmë
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër procesi të parakohshëm më 28 dhjetor.
Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51 për qind të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.
Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.
Ndonëse votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende, rezultatet e deritanishme tregojnë disa ndryshime në pozicionim krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Kurti i hapur për bashkëpunim pas fitores
Pas shpalljes së rezultateve, Kurti la të hapur mundësinë për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera politike.
“Në javët e ardhshme do të komunikojmë, do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike”, tha ai në një fjalim drejtuar mbështetësve të tij, mbrëmjen e 7 qershorit.
Partia e tij ka marrë pushtetin për herë të parë në vitin 2019, me një agjendë më nacionaliste dhe të fokusuar kryesisht në mirëqenien e qytetarëve.
Që nga ajo kohë janë mbajtur edhe katër palë zgjedhje parlamentare, kryesisht të parakohshme, dhe Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në të gjitha.
Kurti e theksoi këtë edhe në adresimin e tij paszgjedhor.
“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare… Prandaj, edhe në këto zgjedhje të pesta u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë”, tha ai.
“Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tani është shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, shtoi Kurti.