
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjet ndaj mësimdhënësve në Facebook-un e saj që të fillojnë mësimin nëpër shkolla, duke thënë se si Qeveri gjithmonë do jenë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi, raporton Gazeta10.
Nagavci tha se me Projekligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.
“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj”, ka shkruar Nagavci.
Ministrja tha se punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe “është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar”.
“Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit”./Gazeta10.