
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e paralajmëruar nga SBAShK-u cënon të drejtat themelore për arsim, raporton Gazeta10.
Nagavci ka thënë se ata njohin të drejtën e organizimit sindikal por mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit.
Tutje, Nagavci ka thënë se ata vazhdimisht janë duke punuar që të përmirësojnë kushtet për mësimdhënësit në vend.
“SBAShK-u ka paralajmëruar grevën për 25 gusht duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesa për kushte më të mira të punës. Por, duhet theksuar se mos mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsim dhe si e tillë për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi jemi duke punuar dhe siguruar që të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për mësimdhënësit tanë, por edhe të rezultateve të mësimdhënies”, thënë ajo.
Nagavci ka shpjeguar edhe dallimin midis projektligjit të qeverisë së kaluar dhe qeverisë së tanishme në raport me sistemin arsimor të Kosovës.
“T’ju kujtoj se SBAShKU ka një projektligj për pagat nga qeveria e kaluar me të cilin ishte pajtuar dhe ai kishte rezultat që mësimdhënësit e klasës së parë e deri në klasën e pestë të mbesin me një koeficient më të ulët. Ne jemi siguruar që jo vetëm të adresojmë kërkesat që i kemi mbështetur edhe në atë kohë që mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme ashtu sikur të shtyjnë përpara përmirësimin e performancës duke e paraparë edhe shtesën për ata që do të jenë më të suksesshëm në punë. Në projektligjin e ri nuk do të ketë ndarje të tilla në mes mësuesve të klasave një deri në nëntë”, ka shtuar më tej Nagavci. / Gazeta10