Zëvendëskomandati i KFOR-it, Luca Piperni, ka thënë se forcat paqeruajtëse nuk mund t’i përjashtojnë tenisonet në veri të Kosovës lidhur me temën e regjistrimit të targave, raporton Gazeta10.
Nga NATO është bërë e ditur se më datën 27 shtator do të zhvillohet stërvitjet në Kosovë me emrin “Shpata e Artë” në zonën e ushtrimeve të kampit “Novo Sellë” në komunën e Vushtrisë, që ndodhet afër Mitrovicës.
Bëhet e ditur se kjo stërvitje do të jetë në kontekst të operacionit të reagimit emergjent.
“Stërvitja do të vendoset në një kontekst të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFOR-it do të vazhdojë të veprojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX-it”.
Stërvitja e KFOR-it, është pjesë e planeve të publikuara në fillim të këtij muaji nga trupat e KFOR-it, ku u njoftua, se nga data 27 shtator deri më 2 nëntor “do të zhvillojnë një stërvitje rutinë me një nga njësitë e tij rezerve”, dhe kjo automatikisht do të çojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave të NATO-os në terren.
Nga KFOR-i është thënë se janë të gatshëm dhe vigjilent për të vepruar nëse ka rritje të tensioneve.
“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar, nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezerve dhe këtë vendim mund ta marrim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i KFOR-it, Luca Piperni, gjatë një takimi me gazetarët në Prishtinë. NATO në kuadër të forcës paqeruajtëse KFOR, aktualisht ka rreth 3,700 trupa në Kosovë.
Dhjetë ditë më parë ndërkaq, në Kosovë arriti një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar për t’u përfshirë në stërvitjet që synojnë ruajtjen e “shkallës së lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”. / Gazeta10