Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ndahen mbi 4 milionë euro për blerjen e barnave esenciale

Gazeta10
26 October 2022 - 20:08

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 4 milionë euro për blerjen e barnave esenciale pas kërkesës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës për furnizim me to. Ndërsa, 92 mijë euro ekzekutivi ndau për Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili sipas kryeministrit Kurti shërbeu për promovimin e vendit. Ndër të tjerash, gjatë mbledhjes së qeverisë u miratua Projektligji për Ekspertët Gjyqësor, me anë të së cilit synohet parandalimi i abuzimeve me ekspertiza.

Raporti: Saranda Aliu.

Në kohën kur në institucionet publike shëndetësore në Kosovë po mungojnë edhe produktet e barnat më esenciale, me kërkesë të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë mbi 4 milionë euro për blerjen e tyre.

Këto mjete shtesë do të merren nga programi kontigjencat në Ministrinë e Financave, nga kategoria mallra dhe shërbime.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në mbledhjen e qeverisë ka bërë të ditur se mjetet do të jenë për tre muajt e fundit të këtij viti.

Përveç shtesave për barna, ekzekutivi ndau 92 mijë euro subvencione edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, i cili u zhvillua një ditë më parë në Prishtinë.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së qeverisë, u miratua projektligji për Ekspertët Gjyqësor. Përmes tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se do parandalohet abuzimi që mund ta bëhet me ekspertiza.

Kabineti qeverisës i hapi rrugë po ashtu ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes së cilit u tha se synohet të vihen më shumë rregulla që mbrojnë konsumatorët.

Në këtë mbledhje u miratua edhe Strategjia Kombëtare për  Menaxhimin dhe Kontrollimin e qenve endacak, nisma për negocim të Marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim në hartimin e planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë si dhe u formua një këshill organizativ për shënimin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.