
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka paralajmëruar një listë prej 10 masash që do t’i ruajë qytetarët që të mos dëmtohen gjatë fazës së tranzicionit deri te zbatimi i plotë i rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila synon ta heq dinarin serb nga përdorimi.
Qeveria po lëviz kështu pas deklaratave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se mosdëgjueshmëria për shtyrjen e zbatimit të kësaj rregullore i ka prekur raportet ndërshtetërore.
“BQK-ja ka nxjerrë një varg të aktiviteteve e masave që synojnë të zbusin ndikimin e rregullores. Në ditët në vijim edhe Qeveria do të dalë me një listë prej 10 masave me të cilat do të tregojmë ne se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë që më pas do të garantonte zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave”, tha Bislimi në tryezën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar.
Bislimi tha se janë “të vetëdijshëm” që “në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë”.
“Banka Qendrore ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash përmes së cilave synon ta zbusë këtë ndikim”, tha ai, duke folur për planin 10pikësh të BQK-së, të prezantuar para pak ditësh.