
Sektori i shëndetësisë në Kosovë vazhdon të përballet me shumë probleme. Njëra prej tyre, është mungesa e disa barnave dhe shërbimeve. Pacientët në Klinikën e Onkologjisë detyrohen që një pjesë të trajtimit ta vazhdojnë në institucione private. Mungesën e barnave, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e ka konsideruar si problem serioz. Ndërsa, kritika ndaj tij kanë hedhur opozita dhe gazetarët, raporton Kanal10.
Raporti: Arbenita Ilazi, Kamera: Bujar Ahmeti.
Pensionisti Muhrrem Murseli, paraditen e së premtes, erdhi në Klinikën e Onkologjisë, por nga aty doli pa i marr krejt shërbimet e nevojshme.
Pas kontrolleve, atij iu rekomanduan analizat, por të gjitha nuk mundi t’i kryente në këtë klinikë, për çka u detyrua që njërën prej tyre ta bëjë në institucionet private.
Klinika e Onkologjisë, kohëve të fundit po përballet me mungesë të disa prej barnave, për çka në disa raste pacientët nuk mund ta marrin terapinë.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Bisimi, ka thënë se disa lloje të barnave janë duke munguar, por megjithatë sipas tij, pjesa më e madhe e pacientëve e marrin shërbimin.
Për mungesën e barnave, nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kanë thënë se janë në procedura për të bërë porositë e radhës për pjesën tjetër të viti.
Ndërkaq, mungesën e barnave në klinikat e QKUK-së, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e ka konsideruar si problem shumë serioz.
Por, për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, opozita ka hedhur kritika ndaj ministrit të këtij dikasteri, Rifat Latifi.
Kryetari i komisionit për shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ministri duhet ta kthejë vëmendjen tek gjendja e shëndetësisë në Kosovë, e jo tek vizitat e tij të njëpasnjëshme jashtë shtetit.
Gazetari Bujar Vitija ka thënë ekzekutivi duhet të rikthejë vëmendjen në QKUK dhe të përmirësohet furnizimi me barna.
Për shkak të situatës së rënduar në këtë sektor, Qeveria e Kosovës së fundmi ka themeluar komisionin ekzekutiv për shëndetësi, të cilin do ta udhëheq kryeministri i vendit, Albin Kurti./Gazeta10