
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Qytetarët e Suharekës kërkojnë që krahas disa investimeve të vogla kapitale, në qytet të punohet drejt krijimit të vendeve të reja të punës. Kryetari i komunës, Bali Muharremaj ka thënë se janë duke punuar në krijimin e disa projekteve të reja që cilat do t’i ofrojnë qytetarëve shërbime edhe më të mira dhe do të krijojnë vend të reja të punës. Derisa, në Komunën e Mamushës, qytetarët kërkojnë që të investohet në projektin e uji të pijshëm. Nga komuna kanë thënë se kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror, pasi buxheti komunal nuk e përballon një investim të tillë, shkruan Kanal10.
Qytetarët e Suharekës shprehen të kënaqur me ofrimin e shërbimeve komunale.
Por, krijimi i vendeve të reja të punës, është njëra nga kërkesat kryesore të tyre.
Ata thonë së ka mjaftueshëm investime kapitale, por duhet të bëhet më shumë për të rinjtë të cilët po ikin nga vendi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se janë duke bërë një kompani publike komunale, e cila edhe rrjedhimisht do të hap vende të reja të punës, në të cilën do të përfshihen shërbime të ndryshme komunale.
E përpos kësaj, Muharremaj ka thënë se qëndrojnë mirë sa i përket ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe se shpejti pritet që të fillojnë projektin publiko privat për mbi 500 vendparkime.
Derisa Komuna e Suharekës është në pritje të projekteve të reja, në Komunën e Mamushës projekti për ujësjellësin nuk po ec përpara.
Qytetarët e kësaj komunë thonë se është dëshpërim që deri më tani kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
E lidhur me këtë çështje, kryetari Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, ka thënë se kanë kërkuar nga qeveria dhe presidenca që të bëhet një zgjidhje, pasi shuma për projektin është 10 herë më e lartë sesa buxheti komunal.
Ai tutje ka thënë se përpos mungesës së ujit, në këtë komunë ofrimet e shërbimeve janë në nivelin e duhur.
Për institucionet e vendit, vazhdimisht ka qenë edhe kërkesa e organizatave vendore e ndërkombëtare, përmirësimi i shërbimeve publike.